Ryker i drejtohet Samarxhiçit: “Qëndroni larg dhunës”
Ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i shoqëruar nga një grup ministrash të qeverisë serbe, ka mundur të hyjë në Kosovë edhe pse atij i ishte ndaluar diçka e tillë. Gjatë vizitës në shtetin e ri, Samarxhiç ka vizituar fshatin Badovc i Ri në Prishtinë, për t’u takuar më pas me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker. Ndër kushtet që iu vunë ministrit serb ishte edhe fakti që Serbia nuk duhet të sfidojë kurrsesi mandatin e Kombeve të Bashkuara sipas Rezolutës 1244. “Ishin dy kushte që ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Slobodan Samarxhiç, të vijë në Kosovë. Njëra prej të cilave ishte që ai të bëjë një prononcim publik, ku të thotë se distancohet nga dhuna dhe se vizita e tij është e qetë. E dyta ishte që ne të takohemi në Prishtinë, në mënyrë që të japim qëndrimin tonë lidhur me deklaratat e tij të bëra për Kosovën”, - është shprehur shefi i UNMK-ut, Joakim Ryker. Para disa ditësh ministri serb, Samarxhiç, kishte deklaruar se djegia e dy pikave kufitare nga serbët që lidhnin Veriun e Kosovës me Jugun e Serbisë ishte krejtësisht një akt legjitim. Ndërsa më vonë, në lidhje me sulmin dhe djegien e Ambasadës Amerikane në Beograd, ai ka fajësuar SHBA-të për njohjen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Qëllimi i vizitës në fshatin Novi Badovcë, të banuar nga serbët, ishte vëzhgimi i një projekti ndërtimi i sponsorizuar nga serbët.
26 Shkurt 2008