Solana: “BE-ja nuk mendon se Kosova do të ndahet”
Bashkimi Europian nuk mendon se territori i Kosovës mund të ndahet sepse përgjegjëse për këtë janë UNMIK-u dhe KFOR-i. Kjo ka qenë deklarata e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana. Ai ka theksuar gjithashtu misioni i BE-së, i quajtur EULEX, ka ardhur në Kosovë për t’u vendosur në të gjithë territorin. Deklarata e Solanës vjen pas takimit të Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së dhe Këshillit të NATO-s. Ai ka shprehur bindjen se të gjitha palët e përfshira në çështjen e Kosovës do të veprojnë me përgjegjësi në periudhën në vijim, kështu që, bashkëpunimi me praninë ekzistuese ndërkombëtare mund të jetë konstruktiv dhe pozitiv për stabilitetin e rajonit. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin Solana ka përsëritur qëndrimin se KFOR-i gjendet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se do të mbetet aty me detyrë “që të mbrojë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, kudo që gjenden, si shumicën ashtu edhe pakicat”. Deklarata e shefit të BE-së për shtrirjen e misionit në gjithë territorin vjen pas shpërnguljes së personelit të Bashkimit Europian nga Veriu i Kosovës për shkak të reagimit të serbëve të Kosovës ndaj shpalljes së pavarësisë.
26 Shkurt 2008