“Ryshfeti për tendën”/ 2 vite me kusht për ish-inspektorët e IKMT, Gjykata i dënon për korrupsion

Gjykata e Posaçme ka dënuar me nga 3 vite burg Klajdi Zhillën dhe Geraldo Fuçien, ish-inspektorë të IKMT, të akuzuar për korrupsion.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi për secilin prej tyre u ul në 2 vite burg. Megjithatë, trupi gjykues vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke i lënë në liri me kusht që për 2 vite të mbajnë kontakt me shërbimin e provës.
Të dy u ndaluan në muajin gusht 2025, pas një kallëzimi të bërë nga vetë pronari i një lokali. Sipas dosjes hetimore, inspektorët i kishin ofruar një marrëveshje që të mos i prishnin tendën pa leje, kundrejt shumës prej 1 mijë eurosh.
Pas kallëzimit, policia, me miratimin e SPAK, nisi përgjimet dhe më pas organizoi simulimin e dorëzimit të parave.
Në momentin kur 1 mijë eurot iu dorëzuan Klajdi Zhillës, tre kolegët e tjerë e prisnin në një lokal tjetër aty pranë. Menjëherë pas dorëzimit të shumës, policia ndërhyri, ndërsa inspektorët tentuan të fshihnin paratë.
Sipas hetimeve, Klajdi Zhilla arriti të largohej me një automjet tip “Audi”, ndërsa tre personat e tjerë u ndaluan në flagrancë. Në masën e sigurisë “arrest në burg” u la vetëm Geraldo Fuçia, i konsideruar si personi që kishte kërkuar ryshfetin, ndërsa Zhilla u shpall në kërkim, pasi ishte ai që mori paratë nga pronari i lokalit.
Dy persona të tjerë, një inspektor dhe menaxheri i lokalit – i dyshuar për ndihmë në fshehjen e parave – po hetohen në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 1 mijë eurot e dorëzuara nga kallëzuesi, të cilat përputheshin me numrat serialë të dokumentuar më parë. Krahas tyre, u gjetën edhe 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, shuma për të cilat dyshohet se mund të jenë marrë nga subjekte të tjera në këmbim të mosprishjes së tendave pa leje.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Apel.