SARAJEVË – Dodik dënohet për refuzimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar

SARAJEVË, 26 shkurt /ATSH-AFP/ – Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik u dënua sot me një vit burg dhe u ndalua nga mbajtja e detyrës për gjashtë vjet për shkak të refuzimit për të dëgjuar vendimet e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr marrëveshjen e paqes në vendin e ndarë ballkanik.
Gjyqi u pa gjerësisht si një provë e qeverisë së brishtë të Bosnjës, e cila përfshin dy entitete autonome serbe dhe myslimano-kroate.
Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, në pushtet që nga viti 2006, është akuzuar për vite me rradhë se ka shkelur hapur Marrëveshjen e Paqes të Dayton-it dhe sistemin e drejtësisë së vendit.
“Gjykata e dënoi të akuzuarin Milorad Dodik me një vit burgim si dhe një masë sigurie për ndalimin e ushtrimit të detyrës si president i Republikës Srpska për gjashtë vjet”, tha Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës në një deklaratë.
I akuzuari ka të drejtë ankese.
“Milorad Dodik është fajtor për veprën penale të mosekzekutimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë”, tha gjyqtari Sena Uzunovic kur lexoi vendimin.
Milorad Dodik, 65 vjeç, i cili nuk mori pjesë në leximin e vendimit, ashtu si edhe avokati i tij, denoncoi menjëherë vendimin e gjykatës gjatë një mitingu në Banja Luka.
”Duhet të buzëqeshim, jam dënuar me një vit burg për budallallëqet e tyre”, tha ai para disa mijëra njerëzve.
“Unë nuk jam fajtor për asgjë (…) Unë e di se çfarë do të bëj dhe kam nevojë për mbështetjen e njerëzve. Do të shkoj deri në fund”, shtoi ai duke i bërë një gjest të turpshëm Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt./ a.jor.