Berisha: Shqipëria po përjeton diktaturën e dytë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit sot të programit të qeverisjes 2025-2029 për ish-të përndjekurit politikë, theksoi se në ditët e sotme Shqipëria po përjeton diktaturën e saj të dytë.
Gjatë prezantimit, Berisha tha se “e diskutojmë këtë program në një kohë kur shoqëria shqiptare, Shqipëria përjeton diktaturën e dytë. Përjeton një diktaturë në të cilën një pasardhës direkt i një xhelati të diktaturës komuniste përdor ndaj kundërshtarëve politikë dhe opozitës mjetet më të egra që mund të përdorë për këtë kohë”.
“Ne jemi sot nën një regjim në të cilin narkodiktatori njëlloj si diktatori i viteve ’50 ka në duart e tij çdo pushtet në këtë vend. Ka në dorë të tij të gjithë vendimmarrjen, konsideron pasuritë e këtij vendi si pasuri të vetat dhe të klaneve të tij kriminale. Diktatori sot, nuk ka një Sigurim Shteti, siç kishte diktatori i dikurshëm. Por ka instrumente terrori të njëjta me ato që kishte diktatori i dikurshëm”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se “regjimi komunist në Shqipëri në aspektin e dhunës dhe represionit, me të drejtë është krahasuar me regjimin nazist në kulmin e luftës. Po! E thotë Karls Xhasper që, në Gjermani për të qenë opozitar duhet të hapje me duart e tua varrin, por ama e thotë gjatë lutës. Në Shqipëri, gjatë paqes po t’i bëje kundërshti regjimit duhet të hapje ose varrin, ose dyert e burgut dhe të kampit. Kjo është e vërteta. Megjithatë, i gjithë ky genocid, kjo dhunë preku rreth 20% të popullatës. Kurse, ky genocidi i padrinos, i narkotrafikantit, ky në 10 vjet ka larguar 45%. Spastrim etnik është ky. Genocid është. Pse ikin që të gjithë? Sepse nuk mund të jetojnë. Ikin që të gjithë nga varfëria dhe mjerimi”.
PD diskuton programin për ish-të përndjekurit politikë 1 nga 12/k.s/r.e/