E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Austin: Grupi i Kontaktit do të diskutojë mbështetjen për Ukrainën më 6 shtator

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka ftuar Grupin e Kontaktit të Ukrainës në një takim tjetër në bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së, në Ramstein në Gjermaninë perëndimore.

Baza më e madhe ajrore amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi sot se takimi do të zhvillohet më 6 shtator.

Gjatë këtij takimi, ministrat e Mbrojtjes dhe zyrtarët ushtarakë do të diskutojnë sërish për rritjen e mbështetjes për Ukrainën.

Grupi i kontaktit përbëhet nga rreth 50 vende, përfshirë Gjermaninë. Ashtu si me takimet e mëparshme, janë ftuar edhe vendet joanëtare të NATO-s.

Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit të Ukrainës, megjithëse shumica e diskutimeve janë zhvilluar përmes videokonferencës.

Rusia ka zhvilluar një luftë të gjithanshme kundër Ukrainës që nga 24 shkurt 2022. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›