SHBA – Autoritetet amerikane hetojnë ish-prokurorin e Trump, Jack Smith

UASHINGTON, 3 gusht / ATSH/- Prokurori amerikan Jack Smith, i njohur për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, po përballet me një hetim zyrtar në SHBA, sipas “The New York Post”.
Ndërsa “Associated Press”, “NBC News” dhe media të tjera amerikane raportuan se hetimi po zhvillohet nga Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo agjenci federale e pavarur ka hapur hetimin ndaj Smith bazuar në “Aktin Hatch”, ligjin federal që ndalon përfshirjen e zyrtarëve në veprimtari politike, për akuzat e përdorimit të detyrës në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024.
Smith, i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland në nëntor 2022, drejtoi dy çështje kundër Donald Trump: për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe për rolin në ngjarjet e 6 janarit 2021.
Të dyja rastet janë rrëzuar nga gjykatat pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Senatori republikan, Tom Cotton ka qenë ndër zërat kryesorë që ka kërkuar nisjen e hetimit.
Ai e ka cilësuar veprimin e Smith si “abuzim të pastër me pushtetin” dhe e ka akuzuar për përdorim të ligjit si armë kundër kandidatit republikan.
Në një postim në platformën X, Cotton tha se Smith është një “demokrat partizan” që ka përshpejtuar hetimet në momente kyçe të fushatës, për të ndikuar në zgjedhje.
Smith nuk ka komentuar për hetimin, por më herët ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin.
Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pas rikthimit të Trump në detyrë. //a.i/