E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump shkarkon shefen kryesore për të dhënat ekonomike, Erika McEntarfer

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar shefen e njërit prej institucioneve më të rëndësishme ekonomike të Amerikës, Erika McEntarfer disa orë pasi të dhënat e punësimit – më të dobëta se sa pritej – shkaktuan alarm të mëtejshëm në lidhje me politikën e tij tarifore, sipas BBC.

Në rrjetet sociale, Trump pretendoi se Erika McEntarfer, komisionere e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), kishte “manipuluar” shifrat e punësimit për t’i bërë republikanët dhe SHBA-në të dukeshin keq.

Lëvizja e paprecedentë e Shtëpise së Bardhë shkaktoi akuza se Trump po politizonte të dhënat ekonomike.

Tregjet e aksioneve amerikane u tronditën të premten pasi Trump, vazhdoi me planet e tij për të rritur tarifat e importit për mallrat nga vendet e botës.

Shifrat u publikuan nga BLS duke treguar se punëdhënësit në SHBA shtuan vetëm 73,000 vende pune në korrik, shumë më poshtë se parashikimet për 109,000 vende të reja pune.

Agjencia gjithashtu rishikoi rritjen e punësimit në rënie në maj dhe qershor, duke raportuar 250,000 vende pune më pak sesa mendohej më parë.

Ky ishte rishikimi më i madh në rënie në shifrat e punësimit – përveç epokës së Covid-it – që nga viti 1979.

Megjithatë, nuk është e pazakontë që BLS të ndryshojë shifrat e punësimit ndërsa dalin në dritë më shumë të dhëna.

Gjatë presidencës së Joe Biden, statistikat për 12 muaj gjatë viteve 2023-2024 u rishikuan në mënyrë retroaktive në rënie me 818,000 vende pune.

Edhe pse ndryshimet e këtij muaji ishin shumë më të mëdha se zakonisht, analistët thanë se përditësimet ishin në përputhje me të dhënat e tjera që tregonin një ngadalësim.

Heather Long, kryeekonomiste në Unionin Federal të Kreditit të Marinës, tha se shifrat e punësimit ishin një “ndryshues i lojës”, duke shtuar se tregu i punës po përkeqësohej shpejt për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e Trump. //a.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›