SHBA – Biden fal kundërshtarët e Trump dhe anëtarët e familjes së tij, në minutat e fundit të presidencës

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Joe Biden fali në minutat e fundit të presidencës, një numër njerëzish që shihen si kundërshtarë politikë të pasuesit të tij Donald Trump disa orë përpara se ai të largohej nga detyra dhe më vonë fali anëtarët e familjes së tij.
Mes të falurve përfshihej imunologu Anthony Fauci, gjenerali Mark Milley, ish-kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Trump dhe të gjithë anëtarët e Kongresit që shërbyen në komitetin e përzgjedhur – që hetuan sulmin e 6 janarit 2021 në ndërtesat e Kapitolit në Uashington.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë nuk përmendi anëtarët e komitetit, të cilët përfshinin ish-përfaqësuesit Liz Cheney dhe Adam Schiff.
“Kombi ynë mbështetet në nëpunës publikë të përkushtuar dhe vetëmohues çdo ditë. Ata janë gjaku i demokracisë sonë. Megjithatë, në mënyrë alarmante, nëpunësit publikë u janë nënshtruar kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme për kryerjen me besnikëri të detyrave të tyre”, thuhet në deklaratë duke iu referuar kërcënimeve për ndjekje penale të bëra nga Trump dhe aleatët e tij dhe drejtuar kundërshtarëve të tij.
“Këta nëpunës publikë i kanë shërbyer kombit tonë me nder dhe nuk e meritojnë të jenë objektiv i ndjekjeve të pajustifikuara dhe të motivuara politikisht”, thuhet në deklaratë. //a.i/