E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Blinken: I takon Hamasit të pranojë marrëveshjen me Izraelin

UASHINGTON, 3 qershor /ATSH-ANSA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndeti gatishmërinë e Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe tha se i takon Hamasit ta pranojë atë, njoftoi sot zëdhënësi i tij Matthew Miller.

Deklarata e Miller erdhi pas një bisede telefonike midis shefit diplomatik amerikan, Blinken dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

“Të dy zyrtarët diskutuan propozimin për të arritur një armëpushim në enklavën palestineze në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite nga Hamasi”, sipas Miller.

Presidenti amerikan Joe Biden prezantoi të premten detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gazë.

Marrëveshja përcakton planet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez dhe rindërtimin e Rripit të Gazës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›