E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Harris siguron votat për kandidaturën presidenciale demokrate

UASHINGTON, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar shumicën e nevojshme të votave të delegatëve për të qenë kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike, tha sot Partia Demokrate.

Ajo arriti pragun e nevojshëm të votave për nominimin në një votim në internet që ishte sjellë përpara për shkak të çështjeve që përfshinin printimin e fletëvotimeve në disa shtete.

Konventa e partisë do të nisë në Çikago më 19 gusht.

Njoftimi nuk ishte i papritur pasi asnjë kandidat tjetër nuk kishte garuar.

Harris do të përballet me ish-presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane.

Votimi filloi të enjten përmes platformës online të partisë, ku delegatët e partisë nga të gjitha shtetet mund të hidhnin votat e tyre.

Votimi do të vazhdojë deri të hënën në mbrëmje.

Por, Harris tashmë ka siguruar shumicën e nevojshme të votave nga rreth 4 000 delegatë.

Ish-senatorja 59-vjeçare nga Kalifornia tha se ndihej e nderuar dhe se ishte gati të luftonte për një fitore më 5 nëntor./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›