SHBA – Hegseth: Evropa të veprojë, jo vetëm të mbajë konferenca për krizën në Hormuz

LONDËR, 24 prill /ATSH-DPA/ – Evropa duhet të fillojë të bëjë më pak konferenca luksoze dhe të reagojë deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth duke kritikuar reagimin e Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera ndaj krizës në Ngushtica e Hormuzit.
Ai hodhi poshtë hapat e udhëhequr nga BM-ja dhe Franca për të garantuar sigurinë e ardhshme të kësaj rruge detare jetike në Gjirin Persik duke i quajtur ato qesharake.
Duke folur në Pentagon, Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara meritojnë aleatë që janë besnikë dhe që kuptojnë se partneriteti nuk është një rrugë me një kah.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike janë përkeqësuar më tej, mes raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj pretendimit të Britanisë së Madhe për Ishujt Falkland, si ndëshkim për mungesën e mbështetjes nga kryeministri Keir Starmer për luftën kundër Iranit.
Përplasja e fundit vjen vetëm disa ditë përpara se mbreti dhe mbretëresha britanike të mbërrijnë në SHBA për një vizitë shtetërore katërditore.
Ngushtica, e cila është një rrugë kryesore furnizimi për naftë dhe gaz, ishte e hapur përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të ndërmerrnin sulme kundër Iranit.
Si kundërpërgjigje, Teherani e mbylli në mënyrë efektive këtë korridor detar.
Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka zgjatur një armëpushim të brishtë, ngushtica mbetet një pikë tensioni, me SHBA-në dhe Iranin që kanë vendosur bllokada të ndërsjella, duke e çuar lëvizjen e anijeve pothuajse në një ndalesë totale dhe duke përkeqësuar krizën globale të energjisë, e cila ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve.
Një koalicion vendesh ka zhvilluar së fundmi bisedime në Paris dhe këtë javë në Londër, me synimin për të krijuar një mision ndërkombëtar të udhëhequr nga BM dhe Franca për të mbajtur të hapur këtë rrugë ujore pas përfundimit të konfliktit.
Duke dhënë një përditësim mbi luftën dhe bllokadën e vazhdueshme të porteve iraniane në një konferencë për shtyp në Uashington, Hegseth tha se ”kjo nuk duhet të jetë vetëm beteja e Amerikës. Ne mezi e përdorim Ngushticën e Hormuzit. Energjia jonë nuk kalon nga aty dhe ne kemi mjaft energji”.
”Evropa dhe Azia kanë përfituar nga mbrojtja jonë për dekada, por koha e përfitimit pa kontribut ka mbaruar. Amerika dhe bota e lirë meritojnë aleatë që janë të aftë, besnikë dhe që kuptojnë se të qenit aleat nuk është një rrugë me një kah, por me dy kahe”, theksoi ai.
”Ne nuk po mbështetemi te Evropa, por ata kanë shumë më tepër nevojë për Ngushticën e Hormuzit sesa ne dhe mund të duhet të fillojnë të flasin më pak, të bëjnë më pak konferenca luksoze në Evropë dhe të reagojnë. Kjo është shumë më tepër beteja e tyre sesa e jona”, tha Hegseth./ /Ad.Ab./ a.jor.