SHBA – Ligjvënësit vërtetojnë fitoren e Trump, katër vjet pas trazirave në Kapitol

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-AFP/- Donald Trump bëri një rikthim historik politik, ndërsa Kongresi vërtetoi fitoren e tij në zgjedhje, në një kthesë të jashtëzakonshme katër vjet pas trazirave në Kapitol të SHBA-së.
Presidenti i zgjedhur e kaloi pjesën më të madhe të fushatës së tij duke u përballur me ndjekjen penale për kryengritjen e vitit 2021, kur mbështetësit e tij – të ushqyer nga pretendimet e tij të rreme për mashtrim të votuesve – u revoltuan për të ndaluar certifikimin e humbjes së tij ndaj Joe Biden.
Por, Trump, 78 vjeç, u votua sërish në nëntor.
Ceremonia e ditës së sotme shënoi goditjen përfundimtare ndaj përpjekjeve për ta përballur liderin republikan me drejtësinë për trazirat në Kapitol – kulminacioni i një komploti të pretenduar kriminal të shumëfishtë që prokurorët thanë se u drejtua nga Trump – përpara se të hiqnin të gjitha akuzat pas rizgjedhjes së tij.
Trump është zotuar të falë një numër të papërcaktuar të rebelëve – rreth 900 prej të cilëve kanë pranuar akuzat federale nga shkelja dhe vandalizmi deri tek sulmi ndaj policisë – duke i përshkruar ata si “pengje”.
Ligjvënësit në të dyja partitë kanë përdorur herë pas here procesin e certifikimit për të sfiduar zgjedhjet, por më shumë se gjysma e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtuan rezultatet në 2021. //a.i/