E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Një tjetër avion rrëzohet në Filadelfia

UASHINGTON, 1 shkurt /ATSH-DPA/ – Një aeroplan i vogël, me gjashtë persona në bord, u rrëzua dje në Filadelfia, pak pas nisjes, tha Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA), pasi fillimisht raportoi se vetëm dy persona ishin në bord.

”Aeroplani, një avion transporti mjekësor, sapo ishte nisur nga aeroporti verilindor i Filadelfias për në Misuri kur u rrëzua rreth orës 18:30 (23:30 GMT)”, tha FAA në një deklaratë.

Kompania operuese, ”Jet Rescue Air Ambulance”, konfirmoi se avioni kishte katër anëtarë të ekuipazhit, një pacient dhe një pasagjer tjetër në bord.

“Për momentin, ne nuk mund të konfirmojmë asnjë të mbijetuar”, tha kompania në deklaratë.

Përplasja ndodhi në një zonë të ngarkuar në verilindje të qytetit, e rrethuar nga dyqane, ndërtesa banimi dhe trafik i rënduar.

Një numër i madh shërbimesh emergjente shkuan në vendngjarje.

Pamjet nga disa stacione televizive amerikane treguan një shpërthim të madh.

Kryebashkiaku i Filadelfias, Cherelle Parker, tha se informacioni për viktimat nuk ishte i disponueshëm menjëherë.

“Lutjet tona janë për familjet, miqtë, fqinjët dhe të gjithë të prekur nga kjo tragjedi. Disa banesa dhe automjete u goditën gjithashtu”, tha Parker.

Përplasja vjen pas një përplasjeje vdekjeprurëse në fillim të kësaj jave në Uashington, ku një avion pasagjerësh i ”American Airlines” u përplas me një helikopter ushtarak ndërsa ulej në aeroportin kombëtar të Uashingtonit ”Ronald Reagan”, të mërkurën në mbrëmje.

Zyrtarët thanë të enjten se të gjithë 64 personat në bordin e avionit të pasagjerëve dhe të tre ushtarët në bordin e helikopterit supozoheshin të vdekur./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›