E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJERMANI – Vdes ish-presidenti Horst Kohler

BERLIN, 1 shkurt /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti gjerman, Horst Kohler vdiq sot në moshën 81-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër, njoftoi zyra presidenciale në Berlin.

I zgjedhur më 23 maj 2004 dhe i konfirmuar në detyrë për një mandat të dytë pesë vjet më vonë, ai dha dorëheqjen papritur më 31 maj 2010.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier i bëri homazhe paraardhësit të tij në një mesazh për të venë e Kohler, Eva Luise, duke e përshkruar atë si një “goditje fati për vendin”.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës që mundëm të përjetonim Horst Kohler si presidentin e nëntë të Republikës Federale Gjermane. Ai i dha këtij vendi shumë”, shkroi Steinmeier.

Kohler ishte presidenti i parë që mori detyrën pa përkatësi politike.

Ai filloi një karrierë si nëpunës civil në Ministrinë e Ekonomisë në vitin 1976 pas studimeve për ekonomi, duke u bërë sekretar i shtetit në Ministrinë e Financave në vitin 1990.

Kohler shërbeu si kryenegociatori i Gjermanisë në prag të Traktatit të Mastrihtit të vitit 1992 që çoi në krijimin e euros.

Në vitin 1993, ai u transferua në sektorin privat, duke shërbyer si president i shoqatës së bankave të fuqishme të kursimeve dhe të mëdha të Gjermanisë, përpara se të emërohej president i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër.

Në vitin 2000, ai u bë drejtor menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

I zgjedhur për të pasuar Johannes Rau si president, një rol kryesisht ceremonial në Gjermani, ai u rizgjodh në vitin 2009.

Dorëheqja e tij një vit më vonë erdhi si një tronditje dhe është unike në historinë e fundit të Gjermanisë.

Kjo erdhi pas një komenti fatkeq në një intervistë radiofonike në lidhje me pjesëmarrjen e Gjermanisë në konfliktin në Afganistan, në të cilën ai e lidhi dislokimin e ushtrisë gjermane me interesat ekonomike të vendit.

Ai u kritikua për justifikimin e dislokimit afgan mbi baza ekonomike – një akuzë që ai e mohoi.

Ai megjithatë e pa pozicionin e tij si të dëmtuar në mënyrë të pariparueshme dhe u dorëhoq.

Në detyrë, Kohler mori vendime të diskutueshme, me raste duke refuzuar të nënshkruajë legjislacionin siç kërkohet nga kushtetuta.

Roli i tij në manovrimin për shpërndarjen e parlamentit me urdhër të kancelarit të atëhershëm Gerhard Schroeder në 2005 ishte i diskutueshëm në atë kohë.

Pas dorëheqjes, Kohler qëndroi jashtë politikës së brendshme gjermane, por shërbeu në krye të një këshilli për ndryshimet klimatike./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›