SHBA – Senati kundërshton përpjekjet për të bllokuar shitjet e armëve në Izrael

UASHINGTON, 3 prill /ATSH/- Senati i SHBA-së rrëzoi sot me shumicë votash një kërkesë për të bllokuar shitjet e armëve në Izrael – me vlerë 8,8 miliardë dollarë – lidhur me krizën e të drejtave të njeriut me të cilat përballen palestinezët në Gazë – pas bombardimeve të enklavës nga Izraeli dhe pezullimit të dërgesave të ndihmave humanitare, sipas “Reuters”.
Senati rrëzoi dy rezoluta të mosmiratimit të shitjeve të bombave masive dhe pajisjeve të tjera ushtarake sulmuese.
Rezolutat u propozuan nga senatori i Vermontit, Bernie Sanders – një senator i pavarur që ka grupe parlamentare me demokratët.
Një traditë e gjatë dekadash e mbështetjes së fortë dypartiake për Izraelin në Kongresin e SHBA-së – do të thotë se rezolutat për të ndaluar shitjet e armëve nuk kanë gjasa të miratohen – por mbështetësit shpresojnë se ngritja e çështjes do të nxisë qeverinë e Izraelit dhe administratat e SHBA-së të bëjnë më shumë për të mbrojtur civilët.
Duke kërkuar mbështetje për rezolutat, Sanders përshkroi numrin e civilëve – me mijëra fëmijë – që përballen me kequshqyerjen dhe urinë, veçanërisht nga një bllokadë e fundit e ndihmës humanitare.
Pezullimi, për të cilin Izraeli thotë se synon të ushtrojë presion ndaj grupit militant Hamas në bisedimet e armëpushimit, vlen për importet e ushqimeve, ilaçeve dhe karburanteve.
Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, James Risch kërkoi rrëzimin e rezolutës së Sanders, duke thënë se ato do të braktisnin Izraelin, aleatin më të ngushtë në Lindjen e Mesme, gjatë një momenti kyç për sigurinë globale.
“Më shumë se 50 000 palestinezë janë vrarë nga operacioni izraelit në Gazë”, thanë zyrtarët palestinezë.
“Luftimet nisën pasi mijëra njerëz të armatosur të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 si pengje”, sipas raporteve izraelite.
Pjesa më e madhe e Gazës është kthyer në gërmadhë – duke lënë qindra mijëra njerëz të strehuar në tenda ose ndërtesa të bombarduara.
Votimi i Senatit u zhvillua në të njëjtën ditë kur qindra mijëra banorë të Gazës u larguan në kërkim të strehimit – duke shënuar zhvendosjen më të madhe të luftës.
Forcat izraelite po përparojnë në rrënojat e qytetit, Rafah, pjesë e një “zone sigurie” të sapo shpallur që ata synojnë të kapin. //ai/