E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Musk pritet të tërhiqet nga administrata në fund të muajit të ardhshëm

UASHINGTON, 2 prill /ATSH/- Shefi ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk – drejtuesi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë dhe krahu i djathtë i presidentit Trump – pritet të tërhiqet nga administrata në fund të muajit të ardhshëm, tha sot Shtëpia e Bardhë, sipas “New York Post”.

Rregullat federale thonë se një punonjës i posaçëm i qeverisë (SGE) si Musk mund të jetë në vend vetëm deri në 130 ditë rresht. Në rastin e Musk, kjo do të duket se e bën datën e largimit të tij 30 maj, dita e 130-të që nga ardhja në detyrë e Trump.

Burimet thanë se plani ka qenë gjithmonë që Musk të kthehet në jetën civile pas përfundimit të statusit të tij SGE – dhe vetë Trump së fundmi aludoi se largimi i shefit të X do të ndodhte së shpejti.

“Në një moment ai do të kthehet … Unë do ta mbaj atë për aq kohë sa mund ta mbaj, ai është një djalë shumë i talentuar”, u tha sot Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

“I dua shumë njerëzit e zgjuar dhe ai është shumë i zgjuar dhe ka bërë një punë të mirë… Më pëlqejnë njerëzit me IQ të lartë. Në një moment, Elon do të dëshirojë të kthehet në kompaninë e tij”, tha Trump.

Musk ka bërë bujë në kohën e tij të shkurtër me administratën e Trump, duke udhëhequr DOGE në bërjen e shkurtimeve të mëdha në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Departamentin e Arsimit, si dhe në Byronë e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit dhe Administratën e Sigurimeve Shoqërore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›