E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Të paktën 40 të vdekur nga uragani “Helene”

UASHINGTON, 28 shtator /ATSH-DPA/- Të paktën 40 persona kanë vdekur pasi Uragani Helene goditi pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si stuhi e fuqishme e kategorisë 4, para se të dobësohej deri të premten pasdite.

Vdekjet u raportuan në shtetet e Xhorxhias, Karolinës së Veriut, Karolinës së Jugut dhe Florida.

Guvernatori i Xhorxhias tha se të paktën 11 persona kishin vdekur në shtetin e tij.

Rreth 4 milionë shtëpi dhe biznese kishin mbetur pa energji në ato shtete dhe më gjerë, me shtëpi të shkatërruara dhe komunitete të përmbytura.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris tha se ajo dhe presidenti Joe Biden po monitoronin nga afër situatën.

Harris tha se rreth 1 500 punonjës ishin angazhuar në terren për të mbështetur komunitetet e prekura.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha që Helene arriti në bregun perëndimor të Floridës si një uragan i kategorisë 4 – kategoria e dytë më e lartë – por më pas filloi të humbiste fuqinë.

Shërbimi kishte paralajmëruar për “përmbytje historike dhe katastrofike”, dhe në disa vende të premten uji ishte rreth 5 metra i lartë. Ka pasur edhe paralajmërime për rrëshqitje dheu nga reshjet e forta të shiut.

Ciklonet tropikale formohen mbi ujërat e ngrohta të oqeanit. Ekspertët thonë se ngrohja globale rrit mundësinë e stuhive të forta. Sezoni i uraganeve fillon në Paqësor më 15 maj dhe në Atlantik më 1 qershor. Sezoni përfundon në të dy rajonet më 30 nëntor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›