SHBA – Trump: Ekzaminimi mjekësor doli “perfekt”, mes tensioneve politike dhe zgjedhore

UASHINGTON, 26 maj /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se të gjitha rezultatet e ekzaminimit të tij të fundit mjekësor kanë dalë “perfekte”, pas një vizite më shumë se treorëshe në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, ku iu nënshtrua kontrolleve vjetore parandaluese mjekësore dhe dentare, sipas AP.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti u kthye në rezidencën presidenciale menjëherë pas vizitës, ndërsa nuk u publikuan menjëherë rezultatet zyrtare të kontrollit.
Ky ishte ekzaminimi i katërt mjekësor i deklaruar publikisht, që prej rikthimit të tij në detyrë për mandatin e dytë.
Trump e përshkroi vizitën si një “kontroll fizik gjashtëmujor” dhe falënderoi mjekët dhe stafin e qendrës mjekësore ushtarake, duke theksuar se gjithçka kishte shkuar në mënyrë “perfekte”.
Deklarata e tij vjen në një moment kur shëndeti dhe mosha e presidentit 79-vjeçar janë sërish në qendër të vëmendjes publike, ndërsa ai përpiqet të largojë dyshimet mbi qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tij fizike, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit që pritet të jenë vendimtare për ndikimin e tij në Partinë Republikane.
Në të njëjtën kohë, administrata e tij po përballet me zhvillime të ndjeshme ndërkombëtare.
Irani ka dënuar sulmet amerikane të një dite më parë, duke i cilësuar si shenjë “keqbesimi dhe mosbesueshmërie”, ndërsa Uashingtoni i ka justifikuar ato, si veprime mbrojtëse ndaj objektivave ushtarake në jug të Iranit.
Teherani ka paralajmëruar se SHBA-ja do të mbajë përgjegjësi për “të gjitha pasojat”, pa dhënë detaje të mëtejshme, duke rritur pasigurinë mbi ecurinë e armëpushimit dhe negociatave të paqes.
Paralelisht, në politikën e brendshme amerikane po zhvillohet edhe gara për Senatin në Teksas, ku votuesit republikanë po zgjedhin kandidatin e tyre, në një balotazh të tensionuar dhe të kushtueshëm.
Trump ka ndërhyrë në këtë proces duke mbështetur kandidatin e preferuar, në përpjekje për të forcuar kontrollin e tij mbi drejtimin e Partisë Republikane. //a.i/