UASHINGTON – Rubio: Negociatat me Iranin do të zgjasin edhe disa ditë të tjera

UASHINGTON, 26 maj /ATSH/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi sot se bisedimet me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit pritet të zgjasin edhe disa ditë të tjera, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi formulimet e marrëveshjes fillestare, raportoi AP.
Duke folur sot me gazetarët përpara se të largohej nga India, pasi SHBA-ja nisi sulme të reja kundër Iranit, pavarësisht armëpushimit, Rubio tha se, po bëheshin shumë diskutime rreth përmbajtjes specifike në dokumentin fillestar.
“Do të duhen edhe disa ditë”, u shpreh ai, duke shtuar se presidenti Donald Trump nuk do të pranonte një marrëveshje të dobët.
Sipas tij, pika kyçe e negociatave aktuale është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, pa lejuar që Irani të vendosë tarifa për kalimin e anijeve në këtë rrugë detare me rëndësi globale.
“Ngushtica duhet të jetë e hapur, e pandërprerë dhe pa taksa”, tha Rubio.
Tensione të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Iranit
Deklaratat vijnë në një moment kur situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e tensionuar, pas sulmeve të fundit amerikane në jug të Iranit, të kryera pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët.
Irani i ka dënuar këto veprime, ndërsa SHBA-ja i ka cilësuar si masa mbrojtëse.
Në këtë kontekst, negociatat për zgjatjen e armëpushimit dhe sigurimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, konsiderohen kyçe për stabilitetin rajonal dhe tregjet globale të energjisë. //a.i/