SHBA – Trump: Kam gjithë kohën e botës për luftën në Iran

UASHINGTON, 23 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot se ka “gjithë kohën e botës” në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme, ndryshe nga Irani, sipas tij, në një mesazh në rrjetin e tij social Truth.
“Për numrin gjithnjë e në rënie të njerëzve që lexojnë ‘New York Times’-in e dështuar ose shikojnë gënjeshtrat në CNN, që mendojnë se jam me nxitim për t’i dhënë fund luftës (nëse mund ta quani kështu) me Iranin, dijeni se unë jam ndoshta personi më pak në presion që kam qenë ndonjëherë në këtë pozicion. Kam gjithë kohën e botës, por Irani jo”, shkroi presidenti amerikan.
“Nuk do të ketë marrëveshje nëse nuk është relevante dhe e mirë për Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë dhe, në realitet, për pjesën tjetër të botës”, deklaroi ai./ a.jor.