E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Kazakistani i bashkohet marrëveshjes për bashkëpunim me Izraelin

UASHINGTON, 7 nentor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha dje në mbrëmje se Kazakistani po i bashkohej të ashtuquajturave Marrëveshje të Abrahamit, një marrëveshje kornizë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa shteteve arabe.

Ish-republika sovjetike me shumicë myslimane ka mbajtur marrëdhënie diplomatike me Izraelin – që nga pavarësia e vendit më shumë se 30 vjet më parë. Rëndësia specifike e veprimit të Kazakistanit mbetet e paqartë për momentin.

“Kazakistani është vendi i parë i mandatit tim të dytë që i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, e para nga shumë të tjera”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Vendimi i Kazakistanit dukej se kishte natyrë simbolike. Kjo nuk e ndaloi Shtëpinë e Bardhë të vlerësonte njoftimin si një progres.

“Të lumtur janë paqebërësit”, tha Shtëpia e Bardhë në një postim në X.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vlerësoi Trump duke e quajtur atë “avokatin dhe kampionin kryesor të paqes”.

“Presidenti Trump po vazhdon të ndërtojë mbi rekordin e tij si negociatori kryesor në botë, me Kazakistanin që po i bashkohet sot Marrëveshjeve historike të Abrahamit”, tha Rubio.

Marrëveshjet e Abrahamit, të nënshkruara në vitin 2020, konsiderohen një sukses i rëndësishëm i mandatit të parë të Trump në detyrë.

Administrata e Trump po punon për të normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Një afrim i tillë kishte filluar në vitin 2023, por më pas mori fund papritur për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës.

Rreth 70% e popullsisë së Kazakistanit prej 19 milionë banorësh është myslimane. Marrëdhënia e tij me Izraelin është në përputhje me atë të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte vendi i parë përveç SHBA-së që njohu Izraelin në vitin 1948.

Kazakistani, nën udhëheqjen laike të presidentit Kassym-Jomart Tokayev, është vendi i nëntë më i madh në botë për sa i përket sipërfaqes dhe ka rezerva të mëdha nafte dhe gazi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›