Rama: Tirana nuk mund të jetë trup pa kokë, Kushtetuesja të zgjidhë ngërçin

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në episodin e 5-të të podkastit “Flasim” në shënimet e javës u ndal edhe tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të rrëzuar dekretin e Presidentit për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama theksoi se ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim.
“Së pari, siç duket – dhe nuk është hera e parë që duket për të gjithë ata që duan ta shohin – unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet. Kjo është e qartë dhe është një gjë e mirë që duhet ta pranojnë edhe ata që faktikisht e kundërshtojnë jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat”, theksoi Rama.
Së dyti, vijoi Kryeministri, Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën.
“Kështu si amendon se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet përveç se me zgjedhje, atëherë këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë: disproprocioni i mbajtjes së tij në qeli, në dëm të lirive dhe të drejtave kushtetuese të tij si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetin, dhe disproporcioni në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqyetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se e treta vjen logjikisht. “Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, por ama në dëm të madh të Tiranës, por që sheh një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka sesi të mos presë më të njëjtën parimësi kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në liri për ta vazhduar procesin në gjendje të lirë”, vuri në dukje kreu i Qeverisë.
Për kryeministrin Rama, kjo është gjëja më normale.
Më tej, Rama tha se e para dhe e dyta janë të sigurta.
“Pika e tretë mbetet për t’u parë, ndërkohë që dua të theksoj edhe diçka tjetër. Çfarëdo është thënë secili ka të drejtë, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria si rrjedhojë e vendimit të marrë nga PS në këshillin bashkiak, sepse e vërteta është shumë e thjeshtë: Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë”, tha kreu i Qeverisë.
Rama tha se “kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kështu që kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd duhet të kujtojë se përtej teorive të tjera të konspiracionit, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë”.
“Ky është një skandal në vetvete dhe është një skandal për të cilën qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto dhe kryeqyteti paguan një kosto të padrejtë çdo ditë”, tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/