E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Pas shumë dekadash bisedime paqeje izraelito-libaneze

UASHINGTON, 16 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se udhëheqësit e Izraelit dhe Libanit pritet të zhvillojnë sot bisedime, në një përpjekje për të ulur tensionet mes dy vendeve, ndërsa përplasjet me milicinë Hezbollah vijojnë.

“Udhëheqësit e të dy vendeve nuk kanë folur prej shumë kohësh, rreth 34 vjet”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social duke shtuar se ”kjo do të ndodhë nesër”.

Presidenti Trump nuk specifikoi se cilët liderë kishte parasysh.

Kryeministri i Libanit është Nawaf Salam, ndërsa homologu i tij izraelit është Benjamin Netanyahu.

Presidentë janë Joseph Aoun në Liban dhe Isaac Herzog në Izrael.

Presidenti amerikan tha se qëllimi i bisedimeve është krijimi i pak hapësire frymëmarrjeje mes dy vendeve fqinje.

Përfaqësues të Izraelit dhe Libanit zhvilluan të martën në Uashington bisedime të drejtpërdrejta politike për herë të parë pas dekadash.

Sipas një deklarate nga zyra e tij, kryeministri Netanyahu theksoi se negociatat me Libanin kanë dy objektiva kryesore, së pari, çarmatimin e Hezbollahut dhe së dyti, një paqe të qëndrueshme, paqe përmes forcës.

Qeveria libaneze, e cila nuk është palë në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, kërkon një armëpushim dhe tërheqjen e trupave izraelite nga jugu i Libanit.

Ndërkohë, kabineti i sigurisë i Izraelit shqyrtoi mundësinë e një armëpushimi, por mbledhja përfundoi pa një vendim, sipas raportimeve mediatike./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›