E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Vendimi për të pezulluar shkëmbimin e informacionit të shërbimeve sekrete me Ukrainën mund të hiqet

UASHINGTON, 10 mars /ATSH-DPA/-  Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se ka sugjeruar se vendimi për të pezulluar shkëmbimin e informacionit të shërbimeve sekrete ushtarake me Ukrainën mund të hiqet, përpara bisedimeve mes dy vendeve në ditët në vijim.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Kievit janë tensionuar javët e fundit pas një përplasjeje midis Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë – pas së cilës SHBA-ja pezulloi ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacionit të shërbimeve sekrete me Kievin.

“Ne jemi pothuajse gati për t’i dhënë fund pauzës”, tha Trump duke folur dje me gazetarët.

Kjo vjen pasi këshilltari i sigurisë kombëtare i Britanisë së Madhe, Jonathan Powell vizitoi Kievin gjatë fundjavës me zyrtarë të lartë përpara bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë që synojnë t’i japin fund luftës.

Powell u takua me Andrii Yermak, kreun e zyrës së presidentit në Ukrainë. Në një postim në X, Yermak tha se ata kishin shkëmbyer pikëpamjet për çështje kyçe në rrugën drejt arritjes së paqes.

“Ne do të bëjmë shumë progres gjatë bisedimeve”, tha Trump.

Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe gjatë fundjavës, ndërsa Zelensky pretendon se ka pasur “qindra” sulme ajrore gjatë gjithë javës.

Nxitja diplomatike për të siguruar një marrëveshje paqeje në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojë këtë javë, pasi presidenti ukrainas do të udhëtojë sot në Arabinë Saudite për t’u takuar me princin e kurorës së vendit dhe ekipi i tij do të qëndrojë për bisedime me zyrtarët amerikanë.

Ndërkohë, ministrat evropianë të Mbrojtjes pritet të takohen në Paris më vonë gjatë javës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›