11 maji, Rama: Mund të mos jem fare në listën e kandidatëve, deputet i të gjithëve për detyrën që kam

TIRANË, 10 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste la sot të hapur mundësinë për të mos qenë pjesë e listës së PS-së për zgjedhjet e 11 majit, me synimin për të bërë garën e barabartë për të gjithë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal te hartimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa u shpreh se pjesëmarrja në listat e hapura të drejtuesve politikë në qarqe e bën garën të pabarabartë.
E njëjta gjë, sipas Ramës, vlen edhe në rastin e tij.
“Me thënë të drejtën as e kam pasur, as e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem aty në atë parlament deputet për sa kohë e kam këtë detyrë. Dhe nga ana tjetër do të ishte prapë një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të ç’orientoheshin njerëzit”, theksoi Kryeministri.
Kështu që kush është në listën e hapur, sipas tij, duhet të jetë në një garë shumë të barabartë.
Ndërkohë, Rama theksoi se vendimin për veten e tij nuk e ka akoma të marrë plotësisht sepse mund edhe të mos jetë fare në listë.
“Kjo për të qenë deputet i të gjithëve për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt”, tha Rama. /j.p/