SHBA – Trump emëron gjeneralin në pension Kellogg, si të dërguarin special për konfliktin Rusi-Ukrainë

UASHINGTON, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, emëroi sot Keith Kellogg, një gjeneral-lejtnant në pension i ushtrisë amerikane për të shërbyer si i dërguari i tij special për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Kellogg shërbeu si shef i stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit në detyrë midis viteve 2017 dhe 2021 – dhe si këshilltar për sigurinë kombëtare të Mike Pence, zëvendëspresident në atë kohë.
“Kellogg ka patur një karrierë të shquar ushtarake dhe biznesi”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Ai ishte me mua që në fillim! Së bashku, ne do të sigurojmë PAQEN PËRMES FUQISË, dhe do ta bëjmë Amerikën dhe botën përsëri të sigurt!”, shtoi ai.
Trump, i cili do të betohet për mandatin e tij të dytë si president më 20 janar, është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë, por pa dhënë detaje se si planifikon ta bëjë këtë.
Sipas raporteve të medieve amerikane, ai ka paraqitur një plan që do të ngrinte vijën aktuale të frontit të luftës – dhe do të nxiste të dyja palët të negocionin. //a.i/