E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump nuk përjashton mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të fituar kontrollin e Kanalit të Panamasë apo Groenlandës

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake – për të fituar kontrollin e Kanalit të Panamasë ose të Groenlandës, pasi u pyet disa herë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp sot në Florida.

I pyetur nga një gazetar nëse ai mund ta siguronte botën se nuk do të përdorte forcë ushtarake apo ekonomike, Trump tha: “Jo”.

Djali i tij, Donald Trump Jr ishte sot në Groenlandë në një udhëtim privat.

Trump ka përshkruar më herët tarifat e tranzitit në Kanalin e Panamasë si shumë të padrejta dhe ka bërë thirrje që kontrolli i rrugës ujore t’i kthehej SHBA-së nëse nuk trajtohej në mënyrë të drejtë.

Kanali – një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë – u ndërtua nga SHBA-ja në fillim të shekullit XX – përpara se administrimi t’i dorëzohej gradualisht Panamasë.

“Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Ai operohet nga Kina”, u ankua Trump.

Ai, gjithashtu përsëriti thirrjen për të marrë nën kontroll Groenlandën, e cila është pjesë e Danimarkës.

“Njerëzit me të vërtetë as nuk e dinë nëse Danimarka ka ndonjë të drejtë ligjore për të, por nëse e kanë, duhet të heqin dorë nga ajo, sepse ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare. Kjo është për botën e lirë. Unë po flas për mbrojtjen e botës së lirë”, tha Trump.

“Groenlanda ndoshta do të votojë për pavarësinë ose për të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

“Unë do ta tarifoja Danimarkën në një nivel shumë të lartë”, shtoi Trump.

Trump Jr tha se nuk kishte plane të takohej me politikanë gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Groenlandë.

“Jam këtu vetëm si turistë”, tha Trump Jr në aeroportin në kryeqytetin Nuuk, sipas transmetuesit groenlandez KNR.

Trump Jr fluturoi për në Groenlandë me një avion të markës Trump. Postimet në mediat sociale treguan se ai u përshëndet në sallën e mbërritjeve të aeroportit nga njerëz të veshur me kapele të kuqe, “Make America Great Again”.

Groenlanda është një ishull i madh – me një sipërfaqe prej 2,166,000 kilometra katrorë dhe 56,000 banorë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›