SHBA – Trump përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë

UASHINGTON, 19 gusht / ATSH/ – Presidenti Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë në intervistën e tij të parë pas takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë, sipas “The Guardian”.
“Ju kam dhënë sigurinë time, dhe unë jam president”, tha sot Trump për “Fox News” në programin “Fox & Friends” gjatë një interviste telefonike kur u pyet nëse forcat amerikane mund të dërgoheshin për të mbrojtur Ukrainën nga një tjetër pushtim rus.
Presidenti amerikan theksoi përsëri se Ukraina nuk do të pranohej në NATO gjatë mandatit të tij, por shtoi se Kievi do të merrte ende garanci sigurie. Ai sugjeroi se këto garanci do t’i merrnin përpara aleatët evropianë.
Trump tha se Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet që po shqyrtojnë dërgimin e trupave të tyre për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës. /Ad.Ab./