E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Trump premton zgjidhjen e të gjitha krizave, përfshirë luftën në Ukrainë

MILUOKI, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Kandidati republikan presidencial i SHBA-së, Donald Trump, ka paraqitur kriza të ndryshme që ai thotë se po përballet vendi duke u zotuar në fjalimin e tij të pranimit të nominimit se do t’i zgjidhte të gjitha, përfshirë luftën në Ukrainë.

“Ne kemi një krizë inflacioni që po e bën jetën të papërballueshme, duke shkatërruar të ardhurat e familjeve që punojnë dhe me të ardhura të ulëta, dhe duke dërrmuar, thjesht duke shtypur njerëzit tanë si kurrë më parë”, i tha Trump një auditori të acaruar në natën e fundit të Konventës Kombëtare Republikane, dje në mbrëmje vonë.

“Ne gjithashtu kemi një krizë të imigracionit të paligjshëm dhe ajo po ndodh tani ndërsa jemi ulur këtu në këtë arenë të bukur. Është një pushtim masiv në kufirin tonë jugor që ka përhapur mjerim, krim, varfëri, sëmundje dhe shkatërrim në komunitetet në të gjithë tokën tonë”, pohoi Trump.

Çështja e migracionit po luan një rol veçanërisht të rëndësishëm në fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA, me republikanët që akuzojnë presidentin amerikan Joe Biden se ka humbur kontrollin e kufirit jugor të vendit të tij.

Trump përdor vazhdimisht formulime ekstreme dhe flet për një “pushtim” të SHBA-së nga emigrantët e paligjshëm.

“Unë do t’i jap fund çdo krize ndërkombëtare që ka krijuar administrata aktuale, duke përfshirë luftën e tmerrshme me Rusinë dhe Ukrainën, e cila nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president, dhe luftën e shkaktuar nga sulmi ndaj Izraelit, që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president”, tha Trump.

Ish-presidenti amerikan ka bërë premtime të ngjashme edhe më parë, duke përfshirë mundësinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve nëse ai rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, ai nuk ka detajuar se si do ta arrijë këtë qëllim./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›