E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump riklasifikon milicinë e rebelëve Houthi si organizatë terroriste

UASHINGTON, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi sot një urdhër ekzekutiv për të riklasifikuar rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, si një “organizatë terroriste”.

“Houthit kanë qëlluar dhjetëra herë kundër luftanijeve të marinës amerikane, kanë nisur sulme të shumta ndaj infrastrukturës civile në vendet partnere dhe kanë sulmuar anijet tregtare që kalojnë në ngushticën e Bab al-Mandebit më shumë se 100 herë”, tha zyra e shtypit e Trumpit.

Nënshkrimi i urdhrit vë në lëvizje procesin për rikualifikimin e milicisë.

Emërtimi si ”organizatë terroriste” shoqërohet me sanksione të ashpra.

Pak para përfundimit të mandatit të parë të Trump si president në vitin 2021, ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo inicioi kategorizimin e Houthis si një organizatë terroriste.

Pasardhësi i Pompeos, Antony Blinken, e anuloi këtë menjëherë më pas, për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.

Që nga fillimi i konfliktit në Rripin e Gazës, milicia e Houthit ka sulmuar vazhdimisht Izraelin dhe anijet tregtare ndërkombëtare në mbështetje të Hamas.

Si kundërpërgjigje, Izraeli, SHBA-ja dhe Britania kanë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme objektivat e Houthit në Jemen./ /i.s/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›