E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump synon tarifa edhe për çipat elektronikë

UASHINGTON, 14 prill /ATSH-ANSA/ – Presidenti i SHBA Donald Trump tha se do të shpallë tarifa të reja për çipat elektronikë “javën e ardhshme”, pasi ai vazhdon të kërkojë tarifa ndëshkuese për të adresuar çështjet tregtare të SHBA.

“Tarifat do të hyjnë në fuqi në një të ardhme jo shumë të largët”, tha ai, duke iu referuar tarifave specifike për çipat elektronikë të cilat do të pasonin masa të ngjashme për çelikun, aluminin dhe automobilat.

I pyetur se cila do të jetë norma e taksës së çipave ai tha se “unë do ta shpall këtë javën e ardhshme.”

Ndërkohë, presidenti kinez, Xi Jinping deklaroi se ”proteksionizmi nuk të çon askund dhe një luftë tregtare nuk do të ketë fitues”.

Jinping do të bëjë sot udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, duke u ndalur në Vietnam, Malajzi dhe Kamboxhia për të forcuar lidhjet tregtare rajonale, mes tarifave të Donald Trump.

Në një artikull në të përditshmen kryesore të Vietnamit ”Nhan Dan”, Xi u kërkoi të dy vendeve “të ruajnë fuqishëm sistemin tregtar shumëpalësh, stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global dhe një mjedis ndërkombëtar të hapur dhe bashkëpunues”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›