MOSKË – Peskov: Takimi Rusi-SHBA i dobishëm, ende pa gjasa një takim Trump-Putin

MOSKË, 14 prill /ATSH-ANSA/ – Takimi i së premtes në Shën Petërburg midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff ishte i dobishëm, por nuk u diskutua për takimin e mundshëm të Putinit me presidentin e SHBA, Donald Trump, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Kontakte të tilla janë jashtëzakonisht të dobishme dhe efektive”, deklaroi ai.
”Ato janë efektive sepse në fakt është krijuar një kanal shumë i nevojshëm për komunikimin e informacionit mes nesh”, theksoi Peskov.
Duke folur për sanksionet amerikane kundër Rusisë për agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës, Peskov tha se ”SHBA dhe Rusia janë në fillim të rrugës së normalizimit të marrëdhënieve”.
”Për këtë arsye Moska nuk ka pritshmëri të ekzagjeruara në këtë drejtim”, theksoi ai./ /os/