E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA 2024 – Trump pretendon për mashtrim masiv në Filadelfia, por pa dhënë asnjë provë

FILADELFIA, 5 nëntor /ATSH-AFP-ANSA/ – Donald Trump deklaroi se votimet në Filadelfia ishin shoqëruar nga një “mashtrim masiv”, por pa dhënë as më të voglën provë për këto akuza.

“Ka shumë thashetheme për mashtrime masive në Filadelfia”, shkroi kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë për këtë bastion të demokratëve.

”Le të ndërhyjë policia!”, shkroi ai në një postim në rrjetin social Truth, pasi ka folur tashmë për këto mashtrime të supozuara edhe pesë ditë më parë.

Autoritetet e këtij shteti në verilindje të vendit, padyshim më i kontestuari në duelin mes Kamala Harris dhe Donald Trump, deri më tani nuk kanë raportuar asnjë formë mashtrimi në këtë qytet.

Donald Trump tha po sot se do të ishte gati të njihte humbjen e tij kundër Kamala Harris nëse “zgjedhjet janë të drejta”, por duke ngritur dyshimin për mashtrime të mundshme elektorale.

“Nëse unë humbas zgjedhjet, nëse zgjedhjet janë të drejta, unë do të jem i pari që do t’i njoh ato”, deklaroi kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë.

Kampi demokrat thotë se pret që republikani të shpallet fitues para kohe, siç bëri në vitin 2020, megjithëse humbi zgjedhjet ndaj Joe Biden./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›