E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Aleanca jonë me Shqipërinë, diçka e shenjtë

22-02-2013 / Gazeta 55

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker ka konfirmuar standardin e shkëlqyer të marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar rreshtimin e përbashkët në NATO, si një diçka të shenjtë. Sot nisin diskutimet me autoritetet në Tiranë, ku në qendër mbetet përshpejtimi i ritmeve të integrimit dhe nxitja e vendeve të rajonit për marrëdhënie paqësore, të pahelmuara nga ndonjë nacionalizëm që mund të ngjajë i panevojshëm

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker gjatë një interviste televizive ka deklaruar se, “duhet të ecim përpara. Ky është mesazhi që kam. Do të flasim sinqerisht, privatisht, hapur dhe publikisht. Këtë meriton marrëdhënia jonë sepse Shqipëria dhe Amerika kanë marrëdhënie të forta, afatgjata dhe jemi aleatë në NATO, që është diçka e shenjtë”.
Më pas  Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë Reeker theksoi se, “Jemi shumë krenarë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ne jemi partnerë në NATO dhe përparësitë e shqiptarëve, janë edhe përparësitë tona. Më kujtohet kur Shqipëria erdhi e u ul në tryezë. Shqipëria ka bërë shumë për të arritur këtë gjë dhe ne jemi këtu që këto zgjedhje të jenë të suksesshme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”. 
I pyetur për axhendën në Tiranë dhe qëllimin e saj, Riker tha se, “kam qenë në Bruksel këtë javë dhe do të shkoj në Berlin. Kam kënaqësinë të jem dy ditë në Tiranë pasi herën e fundit kam qenë para gjashtë muajsh. Do të kem mundësinë të takoj ekipin e ambasadorit Arvizu. Me jepet mundësia të takoj udhëheqësit e këtyre shtatë vendeve ku unë kam përgjegjësinë e politikës së jashtme. Në këto 7 vende që unë kam përgjegjësinë, Shqipëria është një nga dy vendet që është aleatë e NATO-s, ndaj është e rëndësishme të vij të takohem këtu me kolegët shqiptarë. Fokusi ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që të përmbushë synimin e saj drejt BE-së”.
Reeker tha se do të diskutojë për çështjen e integrimit europian për të cilin kam diskutuar edhe me kolegët në Bruksel. 
“Duam ta ndihmojnë Shqipërinë ta përmbushë qëllimin e saj drejt BE-së pasi kjo është në të mirë edhe të rajonit e më gjerë”, tha ai.
I pyetur sesi po i bën Shqipëria detyrat, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker vuri në dukje se “anëtarësimi në BE është një proces kompleks pasi ka standarde të caktuara dhe aftësia për të pasur  politikën tuaj që të përmbushë standardet. BE ka qenë shumë e qartë se dëshiron që Shqipëria të marrë statusin e vendit Kandidat”, teksa shpjegoi se udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhshme e vendit.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Brukselin, do t’i japin tonin 100 viteve të ardhshme të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi se kush i fiton rëndësi ka që të jenë demokratike”, theksoi Reeker.
Ndërsa i pyetur për projektin e gazsjellësit TAP, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker nënvizoi se e përgëzon Shqipërinë  për marrëveshjen ndërqeveritare me Athinën dhe Romën për projektin.
“Korridori Jugor do të sjellë burime të reja të furnizimit me energji  për Europën dhe këtë SHBA e ka inkurajuar prej kohësh. Ne do të mbështesim çdo vendim që do të ndërmerret nga konsorciuni azer Shah-Deniz për projektin TAP apo për Nabuco. Ne nuk kemi zgjedhje të favorizuar”, theksoi ai. 
Në fund të prononcimit të tij, Reeker bëri një panoramë të situatës në rajon dhe sfidat e saj, “ky është 100 vjetori i luftës ballkanike që ka përfunduar më 1913 dhe duke pasur parasysh se sa përpara kemi bërë me këtë rajon, është me të vërtetë diçka që duhet menduar. Tani në 2013 janë vendet e këtij rajoni që përcaktojnë jetën e qytetarëve të tyre, dhe jo fuqitë e mëdha si para 100 viteve. Nuk është një udhëtim i lehtë, por ne duhet t’i ngjitemi këtyre parimeve bazë dhe për këtë SHBA kanë nënvizuar pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial dhe qëndrojmë përkrah Maqedonisë për integrimin, si dhe mbështesim Serbinë për t’u anëtarësuar në BE sa më shpejt. Nxisim rajonin për t’u përballur për çështjet ekonomike, luftën kundër terrorizmit apo ngrohjen globale. Kjo është e ardhmja më e mirë për secilin prej këtyre vendeve. Vendet duhet të lënë mënjanë gjuhën nacionaliste dhe të jenë krenarë për vendet e tyre përmes institucioneve si NATO dhe BE, për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të paqtë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›