Replika/Ia ke fut kot, o Zeno ziu!
Çështja e një gjoja ish-koloneli me emrin Zeno e qe na ishte rekrutuar nga nje agjenci inteligjence, qe na u shfaq si risi tek mediat e majta shqiptare, mbase nuk ka ndonje rendësi. Por ajo që ka rëndësi është përpjekja e Edi Ramës për të tërhequr medoemos vëmendjen e opinionit publik shqiptar duke keqpërdorur ndërkombëtarët. Edhe pse të ashtuquajturat kabllograme të Wikileaks janë një burim i vazhdueshëm informacioni për të majtën shqiptare dhe kryetari i PS-së i trafikon ato rëndom në faqet e “Nexhmija.com”, në realitet rezultojnë të jenë diçka e shumëzuar me zero. Aq e dukshme është kjo sa mjafton të shfletosh sajesën më të fundit të një sharlatani të radhës (si ai që del ekraneve dhe mbron ujërat e që nuk di as not) me pseudonimin Zeno e me profesion ish-ushtarak i kohës së Enverit që jep informacione “të besueshme” mbi zhvillimet në Shqipëri. Ky vet-trafikim i Ramës është kaq qesharak sa po të jesh amerikan mund të qeshësh dhe më pas të qash me lot të nxehtë për mjerimin dhe gjendjen shpirtërore të kryetarit të opozitës. I lënë mënjanë në të gjitha projektet e mëdha amerikane në rajon dhe Shqipëri (si Rruga e Kombit apo Gazsjellësi), Rama ka mbetur fukara, në hije, i pabeseshëm dhe i pallogaritshëm ndaj kërkon me ngulm të përfshijë amerikanët në lojën e tij politike. Edhe pse nuk mund të dalë publikisht e të përkrahë wikileaks për arsye frike nga amerikanët, ai trillon rrëfenja për fëmijë dhe u bën tituj me germa të mëdha që të lexojnë votuesit e majtë, a thua kjo do të kompensojë pakënaqësinë e bazës socialiste për figurën e Ramës. Por për të gjykuar mbi sjelljen e amerikanëve dhe mbështetjen e tyre nuk është e nevojshme të fabrikohen kabllograme dhe personazhe qesharakë, por të shihet me realitet se kë kanë zgjedhur ata për të qenë partner i tyre strategjik dhe i besueshëm. Besimi i amerikanëve është shprehur tek pranimi i shqiptarëve ne NATO, pranimi i lidhjes me një autostradë të standardeve më të larta të shqiptarëve me kosovarët, ardhjen pranë shqiptarëve të Presidentit Bush dhe Sekretares së Shtetit Klinton, ndihmës në ngritjen e gjykatës administrative dhe projekteve mbi thellimin e reformave të ndërtimit të një shteti të së drejtës. Edhe projekti i gazsjellësit TAP është një tregues se veprat e mëdha i bëjnë njerëz të provuar e me ndjenjë përgjegjësie në qeverisje dhe jo aspirant të mënjanuar e të zemëruar që nuk kanë dhënë asnjë garanci mbi karakterin individual. Ndaj trafikimi i sajesave të Ramës me rrëfenja të wikileaks tek media shqiptare është një taktikë e sforcuar e kryetarit socialist. Në fakt po të isha perëndimor, do i thosha: “ Ia ke fut kot o shoku Zeno”