E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Bill Klinton shtrohet në spital pas problemeve me arteriet e zemrës

Ish presidenti amerikan Bill Klinton u shtrua në një spital të New Jorkut pas dhimbjeve të forta që ndjeu në kraharor.
Klinton i është nënshtruar një procedure mjekësore për të hapur arteriet koronare të bllokuara në zemër.
Një këshilltar pranë ish-presidentit, Douglas Band, tha se doktorët vendosën dy tuba për të mbajtur të hapura arteriet gjatë një procedure në një spital të New Yorkut të enjten pasi Klinton ndjeu shqetësime në gjoks.
Douglas Band tha se ish presidenti i SHBA-së tashmë ndjehet mirë dhe do të vazhdojë të përqendrohet në fondacionin e tij si dhe përpjekjeve në vendin e shkatërruar nga tërmeti në Haiti. Klinton i'u nënshtrua në vitin 2004 një operacioni në zemër. Bashkëshortja e tij, sekretarja e Shtetit Amerikan Hillary Klinton shkoi të enjten në New York për të qëndruar me të bashkëshortin pasi ai u shtrua në spital.
Departamenti i Shtetit tha se Hillary ka shtyrë një udhëtim të planifikuar për në Arabinë Saudite dhe në Katar. Po ashtu edhe vajza e Bill Klinton, Chelsea Klinton, ka shkuar menjëherë në spital për të qëndruar përkrah tij. Bëhet e ditur gjithashtu se ishpresidenti-Xhorxh Bush ka telefonuar vajzën e Bill Klinton, për t'i uruar një shërim sa më të shpejtë të të atit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›