SHBA: “Falenderojmë Berishën, Shqipëria, një partner i fortë i SHBA” OKB: “Vendet e tjera të ndjekin shembullin e Shqipërisë”

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe komisioneri i OKB-së për refugjatët kanë vlerësuar dje vendimin e qeverisë shqiptare për pranimin e 210 refugjatëve iranianë. Departamenti i Shtetit evidenton aktin humanitar të nxitur nga kryeministri Berisha, ndërkohë që komisioneri Gutierres ka ftuar shtetet e tjera të ndjekin shembullin dhe lidershipin e kryeministrit shqiptar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë falënderuar kryeministrin e vendit Sali Berisha për ndihmën e dhënë në strehimin e muxhaedinëve që ndodhen në Irak. Deklarata vjen nga zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland, e cila ka falënderuar kryeministrin shqiptar për gjestin e tij human, teksa ka vlerësuar Shqipërinë si, “një partner i fortë i SHBA për paqe në Irak. Shtetet e Bashkuara mirëpresin ofertën bujare të qeverisë së Shqipërisë për rivendosjen e 210 ish-banorëve të kampit ‘Ashraf’, pozicionuar përkohësisht në kampin ‘Hurriya’, si dhe falënderojnë kryeministrin Berisha për këtë gjest humanitar, për të siguruar një strehë të sigurt për këta individë. Shqipëria ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të sjellë stabilitetin dhe paqen në Irak”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së DASH, Victoria Nuland. Departamenti Amerikan i Shtetit i bën thirrje grupit iranian të pranojë ofertën e qeverisë shqiptare si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme, duke kërkuar bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar në procesin e zhvendosjes. “Ne besojmë se zhvendosja e banorëve jashtë Irakut është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe mbetet e angazhuar për të ndihmuar UNAMI-i, UNHCR-ja dhe qeveria e Irakut në këtë përpjekje. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje udhëheqjes së MEK të pranojë menjëherë ofertën humanitare të qeverisë së Shqipërisë, si dhe të nxitë banorët e kampit ‘Hurriya’, për të rifilluar pjesëmarrjen në intervistat e risistemimit për të siguruar individët që do të përfitojnë nga mundësia e zhvendosjes së sigurt jashtë Irakut. Ne nxisim më tej udhëheqjen e MEK për të vendosur prioritetin më të lartë mbi sigurinë dhe sigurinë e banorëve të ish kampit ‘Ashraf’, nëpërmjet bashkëpunimit të plotë dhe të pakushtëzuar me procesin e zhvendosjes. Shtetet e Bashkuara mbështet fuqishëm punën e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI), UNHCR-në dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Kobler Martin. Ne vazhdojmë të theksojmë se kampi dhe banorët e saj duhet të sigurohen në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Irakut, dhe nxisim të gjitha palët e përfshira të punojnë së bashku në mënyrë efektive për këtë”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ndërkaq edhe OKB ka përshëndetur vendimin e Shqipërisë. Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres, duke vlerësuar vendimin e qeverisë shqiptare për pranimin e 210 rezidentëve nga Kampi “Hurriya” në Irak për në Shqipëri, tha se ky përbën një shembull të mirë të solidaritetit të Shqipërisë, që duhet ta ndjekin edhe vende të tjera. “Kampi ka parë kohët e fundit përkeqësimin e sigurisë të banorëve të saj, ku në shkurt nga një mortajë u vranë tetë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Ky propozim është një demonstrim i solidaritetit ndërkombëtar dhe inkurajojmë fuqimisht vendet e tjera të ndjekin shembullin e Shqipërisë dhe të ofrojnë zgjidhje për banorët e kampit, që tu jepet mundësia të zhvendosen edhe jashtë Irakut”, tha Guterres.
Dy ditë më parë qeveria shqiptare komunikoi se do të strehojë 210 muxhahedinë nga Iraku, gjatë takimit të zhvilluar mes kryeministrit Berisha me Zëvendësndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf.