E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Komisioni i Helsinkit sotseancë dëgjimore për zgjedhjet

WASHINGTON - Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur si Komisioni i Helsinkit do të mbajë sot një seancë dëgimore për zgjedhjet në Shqipëri.

Seanca dëgjimore e cila do të mbahet në orën 15:00 ( me orën tonë) u paralajmërua një javë më parë dhe në njoftimin zyrtar shkruhej se “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare në qershor, kjo seancë shpreson të vlerësojë shkallën në të cilën progresi ka nisur të bjerë poshtë pritshmërive në vend dhe jashtë, dhe se çfarë mund të bëhet për të përshpejtuar rrugën për reformat e mëtejshme sa i përket qeverisjes së mirë”

Në seancën dëgjimore do mbajnë fjalën  zëvendës/asistent Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike; Philip Reeker, ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilbert Galanxhi ;  drejtori i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj dhe Besa Shahini, analiste pranë Iniciativës për Stabilitetin Europian.

Seancat e Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe si Komiteti Amerikan i Helsinkit, kanë pasur një rëndësi të madhe në jetën politike shqiptare këto 20 vite.

Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë nga Senati amerikan, nëntë anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga një anëtar nga Departamenti i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë. Ai  bashkëdrejtohet nga një kongresmen dhe nga një senator amerikan, Christopher Smith dhe Benjamin Cardin.

Dy nga seancat më të rëndësishme të këtij komisioni janë realizuar për zgjedhjet e vitit 1996, por edhe përpara zgjedhjeve të vitit 2005, ku u kryqëzua ish- kryeministri Fatos Nano.
Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë është një agjenci amerikane që monitoron progresin në implementimin e parashikimeve të Marrëveshjes së Helsinkit në vitin 1975.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›