E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Obama, Bajden e urojnë Irakun për qeverinë e re

Presidenti Barak Obama dhe zëvendëspresidenti amerikan, Xhoe Bajden, kanë uruar Irakun për formimin e qeverisë së re, hap ky që e ka mbyllur një krizë politike nëntë mujore, pas zgjedhjeve parlamentare.

Në deklaratën e shkruar, zoti Obama tha se votimi i djeshëm në Parlament, për miratimin e qeverisë, ishte “moment i rëndësishëm në historinë e Irakut dhe hap madhor përpara në avancimin e unitetit kombëtar”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Barak Obama dhe zëvendëspresidenti Xhoe Bajden, kanë folur me telefon me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki, i cili tani po fillon mandatin e tij të dytë.

Zoti Bajden ka thënë se liderët e Irakut kanë arritur sukses për formimin e një qeverie “gjithëpërfshirëse, të partneritetit kombëtar qeverisës, që reflekton rezultatet e zgjedhjeve në Irak”, në muajin mars.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›