SHBA-Orban: Asnjë sanksion amerikan për importet hungareze të naftës ruse

UASHINGTON, 8 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi mbrëmë se ka marrë garanci nga presidenti amerikan Donald Trump se Hungaria do të mund të vazhdojë importin e naftës bruto nga Rusia, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj Moskës.
Menjëherë pas takimit me Trump në Shtëpinë e Bardhë, Orban u tha gazetarëve se vendi i tij do të përfitonte një përjashtim të plotë nga sanksionet ndaj Rusisë, raportoi agjencia shtetërore MTI.
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijarto e konfirmoi këtë në platformën X, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Hungarisë një përjashtim të pakufizuar për naftën dhe gazin” dhe se kjo garanci siguron “sigurinë energjetike të vendit”.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump i kishte thënë Orbanit se Hungaria nuk do të ndëshkohej për blerjen e energjisë ruse për një vit, sipas mediave amerikane si CNN.
Gjatë takimit, Trump shfaqi mirëkuptim për kërkesën e Orbanit, i cili argumentoi se vendi i tij pa dalje në det nuk ka alternativa të shpejta për furnizime energjetike. “Është e vështirë për të marrë naftë dhe gaz nga zona të tjera. Ata nuk kanë porte”, tha Trump.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj kompanive energjetike ruse në tetor, që mund të shkaktojnë ndëshkime për blerësit e huaj.
Një grup senatorësh amerikanë i kërkoi Hungarisë të ulë varësinë nga energjia ruse dhe të përputhet me planin e BE-së për t’i dhënë fund importeve të tilla deri në vitin 2027.
Aktualisht, Hungaria merr shumicën e naftës përmes tubacionit “Druzhba” nga Ukraina, ndërsa rruga përmes Kroacisë mbetet vetëm alternativë dytësore.
Orban udhëtoi në Uashington me një delegacion ministrash, biznesmenësh dhe aleatësh politikë. Shumë vende të BE-së e kritikuan qëndrimin e tij si dobësim të unitetit të bllokut ndaj Moskës dhe mungesë përpjekjesh për burime alternative. Për Orbanin, mbështetja nga ana e presidentit Trump ka peshë të madhe simbolike para zgjedhjeve të vitit 2026. /Ad.Ab./