E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Palët të gjejnë zgjedhje konstruktive

Vendosja e dialogut me PD dhe PS është i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike. Ky është qëndrimi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur në lidhje me situatën politike në vend.
Vlerësimi i SHBA-ve për dialogun politik, i është bërë i ditur presidentit Bamir Topi gjatë takimit me nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju, në Zagreb të Kroacisë.
Në takimin me dy personaliteteve, zyra e shtypit të kreut të shtetit, njofton se temë e bisedës ka qenë dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri.
"Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike", thuhet në njoftimin e presidencës në lidhje me takimin.
Nga ana e tij kreu i shtetit u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.
Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se mbledhja e tryezës është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.
Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen. Nënsekretari i Shtetit, Xhejkob Lju, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe stabilitetin që ka gjetur Ballkani pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›