SHBA-Rusi, bisedime pavarësisht Snowden-it
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpara me bisedimet e nivelit të lartë me Rusinë, gjatë së premtes, pavarësisht vendimit të Moskës për ti dhënë azil ish-analistit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë.
Snowden përfitoi azil nga Rusia, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga SHBA-të, për ta rikthyer atë në Amerikë. Ai akuzohet për nxjerrjen e informacioneve mbi programet sekrete të mbledhjes së të dhënave të SHBA-ve.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, do të zhvillojnë bisedimet bilaterale mbi disa çështje globale me homologët e tyre rusë, në Washington, përfshi këtu edhe programin bërthamor të Iranit dhe luftën civile në Siri.
Të dy palët do të diskutojnë gjithashtu edhe çështjen Snowden.
Vendndodhja e Snowden në Rusi ende nuk është bërë e njohur publikisht, pasi u largua nga aeroporti ndërkombëtar i Moskës, gjatë javës së kaluar.
Vendimi i Rusisë për ti dhënë azil të përkohshëm ish-analistit të inteligjencës amerikane ka acaruar marrëdhëniet mes Moskës dhe SHBA-ve.
Snowden nxorri detaje mbi programet e survejimit elektronik të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që mbledh të dhëna mbi email-et dhe telefonatat e bëra nga shtetasit amerikanë.