SHBA: Rusia po shkel traktatin e kontrollit të armëve bërthamore, nuk lejon inspektimet

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se Rusia po shkel traktatin e kontrollit të armëve bërthamore duke mos lejuar inspektime.
“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri START për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj. Refuzimi i Rusisë për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit i pengon Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë të drejtat sipas traktatit dhe kërcënon qëndrueshmërinë e kontrollit të armëve bërthamore amerikano-ruse. Rusia gjithashtu nuk ka përmbushur detyrimin e Traktatit të Ri START për të thirrur një seancë të Komisionit Konsultativ Dypalësh në përputhje me afatin kohor të mandatuar nga traktati”, theksoi zëdhënësi.
Sipas traktatit të ri START – e vetmja marrëveshje e mbetur që rregullon dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë – Uashingtoni dhe Moska lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëri-tjetrit, por për shkak të pandemisë Covid-19, inspektimet janë ndalur që nga viti 2020. Ndërkaq, një sesion i Komisionit Konsultativ Dypalësh mbi traktatin ishte planifikuar të takohej në Egjipt në fund të nëntorit, por u anulua papritur.
Traktati vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si SHBA ashtu edhe Rusia.
Ai u zgjat për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet, që do të thotë se të dy palët së shpejti do të duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje tjetër për kontrollin e armëve.
Departamenti i Shtetit thotë se Rusia mund t’i rikthehet pajtueshmërisë së plotë, nëse “lejon aktivitetet e inspektimit në territorin e saj, ashtu siç bëri për vite me Traktatin e Ri START”.
/rtsh.al/