E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA Senati miraton John Kerry-n

Senati i Shteteve të Bashkuara ka aprovuar kandidaturën e senatorit John Kerry, në rolin e Sekretarit të Shtetit, pasi u mbështet unanimisht nga komiteti i marrëdhënieve të jashtme.

Konfirmimi i tij, pas votimit 94 pro e 3 kundër, u prit me duartrokitje e brohorima në Senat. Presidenti Barack Obama zgjodhi demokratin e Massachusetts si pasardhësin e Hillary Clinton, e cila tërhiqet kështu pas 4 vitesh si kryediplomate.

Një veteran i luftës së Vietnamit dhe senator që prej 1985, Kerry  ishte kandidati demokrat për president në vitin 2004. Senator Kerry, 69 vjeç, u vu në qendër të vëmendjes kombëtare, për shkak të përfshirjes së tij në Veteranët e Luftës kundër Vietnamit.

Ai shërbeu në komitetin e marrëdhënieve të jashtme në Senat për 28 vite, duke qenë lider i tij (kryetar) për 4 vite. Kandidatura e tij është pjesë e riorganizimit të kabinetit të Obama-s, në mandatin e dytë presidencial.

Senator Kerry u bë pretendent për postin e ri, pasi ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tërhoqi kandidaturën për Sekretare të Shtetit në dhjetor.

Republikanët e kishin kritikuar ashpër atë, në lidhje me përgjigjen ndaj sulmit vdekjeprurës gjatë shtatorit të kaluar, në Konsullatën amerikane në Benghazi të Libisë.

Ish-senatori Chuck Hagel, i përzgjedhur nga Obama për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, do të përballet me dëgjimin e më pas me konfirmimin, apo jo, gjatë kësaj jave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›