E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj

02-07-2013 / Gazeta 55

Zёvendёsndihmёsi i Sekretarit amerikan tё Shtetit, Ambasadori Philip Reeker uroi presidentin Bujar Nishani për suksesin e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke i vlerësuar ato si më të mirat të zhvilluara në Shqipëri dhe që treguan pjekurinë e popullit dhe klasës politike shqiptare
Mesazhi amerikan: Ndarja e pushteteve dhe funksionimi normal i institucioneve tё pavarura, jetёsore pёr njё demokraci tё shëndetshme dhe funksionale

Nё ditёn e dytё tё qëndrimit nё Kroaci, Presidenti i Republikёs Bujar Nishani u takua me Zёvendёsndihmёsin e Sekretarit amerikan tё Shtetit, Ambasadorin Philip Reeker.
Ambasadori Reeker shprehu urimet pёr zgjedhjet e 23 qershorit, tё cilat i vlerёsoi si mё tё mirat tё zhvilluara nё Shqipёri. Presidenti Nishani, pasi vlerësoi procesin zgjedhor, nё tёrёsi, nё përputhje me standardet evropiane, shtoi se zgjedhjet dhe tranzicioni i pushtetit po dёshmojnё pjekurinë e popullit dhe klasës politike shqiptare dhe tё demokracisë nё vend. Presidenti Nishani dhe Ambasadori Reeker ndanë mendimin se ndarja e pushteteve dhe funksionimi normal i institucioneve tё pavarura janё jetёsore pёr njё demokraci tё shëndetshme dhe funksionale. Presidenti i Republikёs Bujar Nishani mori pjesё nё festimet e organizuara dje nё mbrёmje, nё Zagreb, me rastin e hyrjes sё Kroacisё nё Bashkimin Evropian.
Pas ceremonive festive tё rastit tё mikpritura nga autoritetet mё tё larta tё vendit, Presidenti Nishani dhe personalitetet e larta pjesёmarrёse nё kёtё veprimtari, u nisёn drejt Sheshit qendror të Zagrebit, “Ban Jelačić”.
Personalitete tё larta tё vendit dhe tё institucioneve tё Bashkimit Evropian pёrcollёn mesazhe tё shkurtra urimi pёr tё pranishmit e shumtё nё kёto festime, tё cilat vijuan deri vonё pas mesnate. Presidenti Nishani, gjatё qёndrimit tё tij nё Zagreb, mori pjesё gjithashtu nё mёngjesin e punёs, dhёnё nga Presidenti i Kroacisё Ivo Josipović pёr presidentët e e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›