Presidenca lituaneze e BE, nxitje të fuqishme integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE
Samiti i posaçëm i planifikuar prej Vilniusit, në nëntor të këtij viti do të jetë një shtysë për zgjerimin e unionit drejt vendeve aspirante, kryesisht në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor do të jetë në qendër të objektivave të presidencës 6 mujore të Bashkimit Europian (1 korrik -31 dhjetor 2013), që këtë herë kryesohet nga Lituania. Irlanda i dorëzoi “detyrën” shtetit të vogël balltik përmes një ceremonie të zhvilluar në Bruksel, ku dhe u shpalosën objektivat e presidencës së re 6 mujore. Përpos sfidave ekonomike të BE, problemet financiare që shoqërojnë disa vende të unionit, premtimi i presidencës lituaneze është se “politikat e zgjerimit të BE-së, s’do ndalen”. Kjo është garancia që japin zyrtarët e Vilniusit që sot ushtrojnë fuqinë e Brukselit, si ministri i jashtëm lituanez, Linas Linkevicius dhe kryeministri i këtij vendi, Algirdas Butkevičius.
“Ne duam ta shohim Ballkanin Perëndimor si pjesë të integruar e jo vetëm evropiane, por të komunitetit euroatlantik në të ardhmen. Kjo varet nga ata, se sa të vendosur, sa shpejt dhe sa efikas do të jetë procesi i integrimit. Shumë vendime të rëndësishme janë arritur, është hedhur progres në rrugën drejt BE, por tani mbetet zbatimi i tyre”- u shpreh kryeministri lituanez, Butkevičius. Ai u shpreh gjithashtu se presidenca e BE do asistojë fuqishëm në këtë drejtim. “Do të bashkëpunojmë së bashku dhe do t’i japim një nxitje të fuqishme Ballkanit Perëndimor. Ne, si presidenca, patjetër do të jemi në favor dhe do të ndihmuar sa më shumë që mundemi për avancimin e zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor”- deklaroi më tej kreu i qeverisë lituaneze. Samiti i ardhshëm i BE, do të ketë në thelb perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Europian. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe progresi i tyre në rrugën e integrimit, janë në lupën e Brukselit.
Lituania kryeson për herë të parë presidencën e BE, të cilën e mori nga Irlanda. Lituana dëshiron që, gjatë presidencës së saj, theksi të vihet te çështjet e energjisë, zhvillimi i rajonit të Balltikut dhe kontrolli i kufijve të jashtëm të BE-së. Presidentja Dalia Grybauskaite është një europiane e bindur. Për angazhimin e saj, ajo sapo ka fituar çmimin e Karlit të Madh dhe angazhohet për efektin e diplomacisë. Megjithatë, ka mjaft çështje të tjera, që presin zgjidhje, sepse ka shumë gjëra të mbetura pezull nga presidenca e kaluar. Lituania trashëgon rreth 85 përqind të axhendës nga paraardhësit, duke nisur me krizën financiare dhe zgjerimin e unionit bankar. Vetëm për buxhetin e BE-së, 2014-2020, do të duhet të miratohen rreth 70 ligje të ndryshme.