SHBA dënon dhunën ndaj karikaturistit sirian

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad për rrahjen e karikaturistit të njohur sirian Ali Ferzat.
Ferzat, thuhet se u sulmua nga persona të armatosur të maskuar të cilët e rrahën atë dhe e plagosen në duar pasi ai u largua nga studioja e tij.
Ferzat, kohëve të fundit kishte botuar disa karikatura dhe shihej si kritik i Assad.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Viktoria Nuland, në një deklaratë me shkrim, tha se "rrugaçët e regjimit përqendruan vëmendjen e tyre në duart e Ferzat, duke e plagosur atë".
SHBA dhe aleatët e saj europianë javën e kaluar i kanë bërë thirrje presidentin Asad të japë dorëheqjen. Aktivist të të drejtave të njeriut thonë se forcat siriane të sigurisë kanë vrarë më shumë se 2.000 njerëz që nga mesi i muajit mars kur nisën protestat.