SHBA dhe Izraeli sulmojnë Iranin, shënjestrohen udhëheqësi suprem dhe presidenti iranian. Teherani hakmerret me sulme në të gjithë rajonin

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sot një fushatë ushtarake ndaj territorit të Republikës Islamike të Iranit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme drejt një tjetër përballjeje ushtarake dhe duke shuar shpresat për një zgjidhje diplomatike ndaj mosmarrëveshjeve që Teherani ka pasur prej kohësh me Perëndimin në lidhje me programin e tij bërthamor.
Sulmet e së shtunës, që shënjestruan pesë qytete, përfshi kryeqytetin Teheran, dhe u ndërmorën pasi Izraeli dhe Irani patën një luftë 12-ditore qershorin e shkuar, vijnë pas paralajmërimeve të përsëritura të SHBA-së dhe Izraelit se këto dy vende do ta godisnin sërish Iranin nëse vendi nuk kufizonte programin bërthamor dhe atë raketor balistik.
“Shteti i Izraelit ndërmori një sulm parandalues ndaj Iranit për të eliminuar rreziqet ndaj shtetit të Izraelit”, u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Katz.
Zyrtarë izraelitë u shprehën për mediat e huaja se operacioni kishte muaj që po planifikohej në koordinim me Uashingtonin dhe se data e nisjes së tij ishte vendosur javë më parë, si dhe se Izraeli po përgatitej për disa ditë sulmesh ndaj Iranit.
Sulmet shënjestruan figura të larta iraniane, duke përfshirë udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei, shefin e shtabit të forcave të armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe presidentin Masoud Pezeshkian. Është e paqartë nëse ndonjë figurë e lartë iraniane u godit gjatë sulmit.
Sulmit amerikano-izraelit, Republika Islamike iu kundërpërgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj Izraelit, por edhe ndaj vendeve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Në Bahrein u shënjestrua qendra e shërbimit të Flotës së Pestë të Marinës Amerikane. Pas këtyre sulmeve, Izraeli goditi shënjestrat e regjimit klerik në perëndim të Iranit, pasi paralajmëroi civilët që jetonin pranë tyre të largoheshin.
Ndërsa Izraeli, Irani, Iraku, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Siria mbyllën hapësirat e tyre ajrore për fluturimet civile, shumë kompani ajrore kanë anuluar fluturimet drejt kryeqyteteve të shteteve të Lindjes së Mesme.
Në muajin qershor, SHBA-të iu bashkuan një fushate ushtarake izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane, në veprimin më të drejtpërdrejtë ushtarak që SHBA kishte ndërmarrë ndonjëherë ndaj Republikës Islamike. Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar. Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se projekti raketor balistik i Iranit kërcënon qëndrueshmërinë rajonale dhe mund të rezultojë në prodhim armësh bërthamore, çka është mohuar nga Teherani.
/rtsh.al/