E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe Ukraina, tre ditë bisedime në Miami për planin e paqes: Produktive, por pa përparim të madh

Bisedimet e zhvilluara në Miami mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Ukrainës janë cilësuar “produktive dhe konstruktive”, megjithëse nuk ka pasur përparim të dukshëm në përpjekjet për të përfunduar luftën e Ukrainës me Rusinë.

Pas tre ditësh takimesh, të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës, Steve Witkoff dhe Rustem Umerov, theksuan se diskutimet ishin përqendruar në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh dhe një “kornizë shumëpalëshe garancie sigurie”, si dhe një “kornizë garancie sigurie amerikane për Ukrainën”.

Në deklaratën e përbashkët, Witkoff dhe Umerov theksuan se prioriteti i përbashkët ishte ndalimi i vrasjeve, garanci për sigurinë dhe krijimi i kushteve për rimëkëmbjen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të Ukrainës.

Ndërkohë, një tjetër raund i bisedimeve është zhvilluar mes SHBA-së dhe dërguarit rus Kirill Dmitriev, të cilat Witkoff i cilësoi gjithashtu “produktive dhe konstruktive”. Witkoff shtoi se Rusia mbetet e përkushtuar për arritjen e paqes në Ukrainë.

Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, por deri tani, të dyja palët nuk kanë arritur një dakordësi mbi çështje kyçe, përfshirë kërkesën e Moskës për të mbajtur territoret e pushtuara në Ukrainë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›